Europa, sot, ka dy modele të spikatura të liderëve autoritarë, Putin në Rusi dhe Erdogan në Turqi. Të gjithë liderët me nuanca autoritarizmi në Europë janë thjesht nxënës para dy profesorëve. Surpriza më e madhe e këtyre ditëve është humbja në zgjedhjet lokale të Erdoganit në Turqi. Me gjithë manovrat që po tenton nëpërmjet rinumërimit apo tentativave për të deformuar numërimin e votave, rezultati i zgjedhjeve është një mesazh shumë i fortë për Erdoganin. Humbja e qyteteve kryesore si: Ankara, Izmir, Antalia, Adana, Mersin dhe Stamboll, mund të mos e rrezikojë direkt pushtetin e Presidentit. Por, dëshmon humbjen më të thellë të Erdoganit që nga viti 2002.

Këto zgjedhje u fituan nga një opozitë, e cila hynte në një garë jo të barabartë.

Së pari, forcat opozitare në Turqi ishin në disavantazh, ku rreth 90% e medias dhe televizioneve kontrollohej nga Erdogan ose mbështetës të tij. Shumica e aktiviteteve të opozitës nuk u pasqyruan në media, por gjetën hapësira në rrjetet sociale, megjithëse dhe këtu Turqia ka një kontroll mbi publikimet. Përsëri, forcat opozitare arritën të gjenin kanalet për t’i transmetuar mesazhin e saj elektoratit.

Së dyti, në këto zgjedhje, Erdogani e atashoi opozitën si armike, tradhtare dhe rezultatin në zgjedhje e përkufizoi si jetike, për partin e tij dhe mbarë Turqinë. Por, duket se asnjë nga këto etiketime nuk i shërbeu për të arritur rezultatin fitues.

Pasoja më e madhe e këtyre zgjedhjeve lokale qëndron tek imazhi. Për herë të parë që nga vitit 2002, Erdogani po del si një lider që mund të thyhet. Duket se goditja më e rëndë i vjen nga qyteti i tij, Stambolli. Një shprehje në Turqi thotë: “Kush merr Stambollin, fiton Turqinë”. Një qytet me rreth 18 milionë banorë, por ndër të tjera Stambolli ka qenë qyteti ku Erdogan nisi karrierën e tij, duke u zgjedhur si kryebashkiak në vitin 1994. Stambolli është kontrolluar nga AKP prej gati 25 vitesh. Për herë të parë pas çerek shekulli do drejtohet nga opozita.

Megjithëse AKP dhe Erdogan kishin fuqi të jashtëzakonshme në planin mediatik, ekonomik dhe politik, ajo se çfarë duket se i bindi turqit të ndryshojnë votë, është rënia ekonomike. Prej më shumë se 1 viti, lira turke është zhvlerësuar në shifrën e 20%, duke rritur inflacionin dhe papunësinë. Duket se lidershipi i Turqisë është shkëputur nga populli. Një lider që i kushton më shumë rëndësi politikës së jashtme sesa asaj së brendshme. Madje, lidershipi turk është duke i kushtuar më shumë vëmendje planit për të rikrijuar “Perandorinë Osmane”. Më problematike është rritja e tensioneve me SHBA-së dhe BE. Erdogani dikur shikohej nga Perëndimi si njeriu që do të dërgonte Turqinë drejt integrimit të BE. Sot, është kthyer në një nga modelet e autoritarizmit.

Fitorja mbi Estabishmentin.

Veç Turqisë, në Europë pati zgjedhje edhe në Sllovaki. Sllovakia një vend anëtar i BE-së, por që vitet e fundit po përballej me kërcënime direkte ndaj demokracisë dhe lirisë së medias. Shumë zëra flisnin për një kthim të Sllovakisë në formatin e Hungarisë së Orbanit. Fitorja e Susana Kaptova, jo vetëm që sjell në krye një grua, por ndër të tjera një kandidate me fokus antikorrupsionin. E gjithë fushata e saj ishte vetëm me popullin, madje u pa shumë pak në studio televizive. Këtë herë, elektorati sllovak zgjodhi midis një politikani karriere si Maros Sefecoviç dhe një kandidateje pa profil politik. Kaptova u përball dhe me ndërhyrjen e Kryeministrit Orban, i cili i bëri thirrje minoritetit hungarez (10%) të votonte kundër Kaptovës. Nëse në rastin e Turqisë është fitore kundër autoritarizmit, ajo e Sllovakisë është fitore ndaj populizmit dhe establishmentit.

Shembuj për opozitën në Ballkan?

Në së paku dy vende të Europës, duket se populizmi, establishmenti dhe autoritarizmi po përballet me një valë thyese. Ballkani ndodhet në ujëra jo aq të qeta. Në së paku tri vende, opozita ndodhet jashtë Parlamentit, liderët ekzekutivë qeverisin prej dekadash dhe rruga drejt integrimit në BE është më shumë një ëndërr se realitet.

Ka një mësim shumë të rëndësishëm për çdo opozitë në vendet ballkanike. Nëse opozita turke fitoi përballë një qeverie që kontrollonte 90% të medias dhe televizioneve, një opozitë që qeveria e atashonte si terroriste. Ndër të tjera, një vend, i cili ka arrestuar më shumë se 50.000 njerëz si pjesëmarrës në grushtin e shtetit të vitit 2016, ka shkarkuar 300.000 nëpunës dhe është një vend rekord me gati 150 gazetarë të arrestuar apo me ndjekje penale. Dhe, përsëri, opozita turke arriti të fitonte duke çuar një mesazh se çdo opozitë mund të fitojë e bashkuar.