Edi Rama gjatë intervistës që pati ditën e sotme nga televizioni francez “France 24” tha se opozita ka qenë kundër reformës së drejtësisë.

Dhe kur është pyetur përse kanë kërkuar ndërkombëtarët në procesin e vettingut ai u shpreh se ky monitorim ishte i nevojshëm në një vend ku të gjithë janë kushërinj dhe kanë lidhje familjare të ngushta me njëri-tjetrin.

Intervisa e “France24”:

Në mandatin tuaj të parë ju keni arritur që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE, ju përmendët reformën në drejtësi dhe ishte një nga reformat më të rëndësishme që po e ndjek nga afër BE. Por a mund të më shpjegoni si funksionon kjo reformë? Janë rreth 300 prokurorë, gjyqtarë akuzohen për korrupsion…
Ne kemi miratuar një reformë radikale. Në fakt ne kemi një arkitekturë tërësisht të re të sistemit. Por, tani në mënyrë që të ndjehet ose për ta mbushur sistemin me burimet e duhura njerëzore ne kemi filluar procesin e vettingut apo të rivlerësimit që do të thotë që është një periudhë prove për gjyqtarët. Që do të thotë ata duhet të vërtetojnë që pasuria e tyre është legjitime.

Duhet të vërtetojnë po ashtu që nuk kanë lidhje me krimin e organizuar dhe kriminelët dhe po ashtu duhet të japin llogari edhe për vendimet që kanë marrë për të shkuarën. Ideja është që do ketë dy komisione, një komision të nivelit të parë dhe një komision tjetër i apelit. Këto komisione janë të përbërë nga ekspertë dhe ata do të shqyrtojnë çdo dosje të çdo gjyqtari dhe çdo prokurori, natyrisht nën një operacion ndërkombëtar monitorimi, i cili përbëhet në vetvete nga prokurorë dhe gjyqtarë të SHBA-së dhe të BE-së.

Në fakt opozita dhe PD-ja ishin goxha të shqetësuar për këtë element të huajsh dhe përse duheshin këta të huaj. A ishte i nevojshëm ky element (ONM)?
Ata ishin vërtetë kundër reformës në drejtësi në përgjithësi (opozita). Ne kemi këmbëngulur që të ekzistonte ky lloj monitorimi pasi jemi një shtet në të cilin jemi të gjithë kushërinj dhe kemi lidhje me njeri-tjetrin. Pra, na duheshin persona që s’kanë lidhje me njeri-tjetrin, nga aspekti familjar. Ju e dini si funksionojnë gjërat në Ballkanin Perëndimor, si në Amerikën Latine. Ne jemi të gjithë kushërinj, të njohur dhe kur nuk jemi kushërinj, ndihemi si të tillë.