Disa supermarkete në Vietnam i janë bashkuar fushatës për përdorimin e produkteve ekologjike për mbajtjen e perimeve, në një përpjekje për të mbrojtur mjedisin.

”Tre rrjetet më të mëdha të supermarketeve në Vietnam kanë filluar të përdorin gjethet e bananeve në vend të qeseve plastike për të futur perimet”, shkruan gazeta online Vnexpress.

”Blerësit u habitën kur panë qepët, bamjet dhe perimet e tjera të futura në gjethe bananesh”, raporton gazeta duke shtuar se kompania do të zgjerojë përdorimin e gjetheve të bananes.

”Ky veprim është pjesë e përpjekjeve për të përdorur produkte ekologjike, jo vetëm për perimet, por gjithashtu edhe për mishin e freskët”, sipas gazetës.

Një prej këtyre supermarketeve gjithashtu shet pipa prej letre dhe kuti ushqimi të bëra prej mbetjeve të kallamit të sheqerit, ndërkohë që vezët mbahen në kuti prej letre dhe jo kuti plastike.

Ai po u ofron blerësve çanta biodegraduese të bëra me miell misri.

Të dhënat zyrtare thonë se Vietnami gjeneron 2 500 tonë plastikë në ditë.

”Vendi renditet i katërti në rang global për sasinë e mbetjeve plastike që hidhen në oqean”, sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), shkruan ATA./In TV