Qeveria miratoi dje vendimin për kompensimin e prodhuesve të qumështit, të cilët preken nga skema e uljes së TVSH-së së rimbursimit.

Vendimi përcakton se fermerët do të kompensohen për qumështin e shitur me faturë tatimore 10 lekë për litër, deri në 700 mijë lekë. Pra, nëse një fermer shet qumësht me faturë, ai do të rimbursohet deri në vlerën e 700 mijë lekëve, me nga 10 lekë për litër.

Aktualisht, një fermer e shet qumështin me TVSH 6 për qind në vlerën e 42,4 lekëve për litër. Sipas një llogaritjeje të thjeshte, vendimi përcakton që një fermer të kompensohet deri në 16,509 litra qumësht të shitur, apo për një vlerë prej 165,090 lekësh.

“Në fondin e programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, zëri ‘Transfertë në buxhetet familjare’, i miratuar në buxhetin e vitit 2019 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shtohet shuma prej 84 milionë lekësh për pagesat për dorëzimin e qumështit, lëndë e parë nga fermerët”.

Dorëzim qumështi lëndë e parë, në vlerën 10 lekë për litër në pikat e përpunimit, për fermat që mbarështojnë lopë dhe/ose të imëta, kundrejt faturës tatimore të shitjes, por jo më shumë se 700,000 lekë për subjekt”, përcaktohet në vendim. Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, deklaroi dje se skema e kompensimit nis zbatimin nga 22 prilli. Ministri u shpreh se aplikimet do të kryhen në agropikat e ngritura në qarqe me zero kosto për fermerët.

“Vendimi i miratuar sot (dje) vjen në kohën e duhur dhe është dukshëm më i favorshëm për fermerët sesa skema e parë e rimbursimit të TVSH-së 20 për qind. Praktikisht, me këtë vendim fermerët do të marrin më shumë lekë për çdo litër qumështi të shitur. Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e ditës së sotme (dje) vendosi që të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht. Sipas këtij vendimi, fermerët do të përfitojnë një kompensim në vlerën 100 lekë të vjetër për litër qumështi të shitur.

Nuk do të ketë kufizime për numrin minimal të krerëve që mbarështon ferma. Për të përfituar kompensimin, fermerëve u mjafton vetëm fatura tatimore. Aplikimet do të fillojnë prej datës 22 prill pranë agropikave dhe zyrave të Bujqësisë në qarqe. Ato do të jenë me kosto zero për fermerët”, u shpreh Çuçi. Ministri i Bujqësisë u shpreh se kjo skemë do të ndikojë edhe në formalizimin e sektorit.

“Kjo masë e marrë është një mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerët e sektorit të blegtorisë dhe është gjithashtu një reagim në kohën duhur i shqetësimit të tyre, pas ndryshimit të skemës së kompensimit të TVSH-së nga 20 për qind, në 6 për qind. Po kështu, një masë e tillë do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe formalizimin e sektorit të prodhimit dhe përpunimit të qumështit në vend”, tha ndër të tjera ministri.