Gjatë intervistës së kryeministrit Rama nga televizioni francez ai ka folur edhe për integrimin e vendit tonë në BE.

Rama foli i prerë se nëse projekti i BE-së ka për tju larguar Shqipërisë atëhere edhe Tiranës do ti duhet të shohi për alternativa të tjera. Ai u shpreh se këtë vit do të çelen negociatat me BE-në dhe u shpreh se ne i kemi bërë detyrat tona dhe prap së prapë nuk do habitej po të mos çeleshin negociatat.

“Ne nuk kemi alternativë tjetër. Ne presim që bisedat me BE-në të nisin këtë vit. Nuk do çuditesha edhe po të mos fillonin. Jo sepse nuk i bëmë ne detyrat e shtëpisë, por sepse nuk mund të mbështetesh shumë te BE përsa i përket angazhimeve me vendet si Shqipëria. Megjithatë, në fund të fundit ajo që mendoj unë që është e rëndësishme: është që ne të vazhdojmë në këtë drejtim dhe me këtë vizion drejt BE-së. Pasi ne jemi edhe shteti më eurocentrik në rajon,” tha Rama.

Për ndarjen e Europës vitet e fundit, Rama u shpreh se për disa Europa është thjeshtë financa, ndërsa për Shqipërinë është projekti më i qëndrueshëm i paqes. “BE është në fakt ai që na mban ne përsa i përket frymëzimit tonë. Nëse BE do të largohet nga ëndrra që ne kemi sigurisht që do të shohim alternativa të tjera, çfarë do të dalin. Mund të ndodhe nëse BE është thjesht taktikë” u shpreh kryeministri.