Supa e peshkut është e dobishme për shëndetin. Ajo përmirëson shëndetin e tiroides, forcon shëndetin e trurit dhe ju ndihmon të hidratoheni pas një aktiviteti të mundimshëm fizik.

Përbërësit 

2-3 peshq mesatarë (koc ose levrek)

2 domate

2 karrota

1 kokërr patate

1 kokërr qepë mesatare

Kripë

Piper

Majdanoz

Përgatitja 

Pastroni mirë peshkut, para se ta vendosni në një tenxhere, ta mbuloni me ujë. Hidhini pak kripë dhe vendoseni të zjejë në zjarr përreth 15 minuta.

Pasi të ketë zjerë, përmes një luge largoni peshkun nga tenxherja dhe lëreni në një enë që të ftohet. Ndërsa lëngun ku ka zjerë peshku kullojeni përmes një kullorëse kuzhine dhe mbajeni mënjanë për ta përdorur në përgatitjen e supës.

Mishin e peshkut pastrojeni ne kujdes nga halat, lëkura dhe koka dhe ndajeni në copëza të vogla ose fije. Ndërkohë, grini përmes një rendeje kuzhine karrotat dhe lërini në një tas më vete, më pas grini po në rende domatet. Grini gjithashtu edhe qepët. Kaverdisni qepët në një tenxhere me vaj ulliri, shtoni më pas karrotat e grira, kaverdisini për pak dhe shtoni më pas patatet e prera në kubike të vegjël dhe më pas domatet.

Kaverdisini për pak, shtoni më pas mishin e peshkut, rregullojeni me kripë dhe piper dhe lëreni të zjejë përreth 30 minuta derisa supa të jetë gati.

Kur ta servirni spërkateni me pak majdanoz të freskët të grirë hollë.