Pulë pikante me speca dhe kos

Përbërësit

  • 500 gr mish pule
  • 3 qepë, 3 thelpinj hudhër
  • 2 speca të kuq, 1 spec jeshil
  • 400 ml lëng pule

Marinimi i pulës:

  • 1 lç kumel, lëkura e 1 limoni
  • 1 lç piper i kuq, 1 lk piper djegës
  • Kripë, piper i zi
  • 1 ½ lgj ujë, 2 lgj vaj ulliri

Salca me kos:

  • 350 ml kos
  • 1 ½ lgj miell
  • 2 lgj pure domate
  • Kripë, piper i zi
  • 250 gr domate qershi

Përgatitja

Si fillim përgatisim salcën për marinimin e pulës. Në një tas të vogël përziejmë kumel, piper të kuq, piper djegës, kripë, piper të zi, ujë dhe vaj ulliri.

I përziejmë së bashku duke formuar një salcë. Në fund shtojmë lëkurën e limonit të grirë hollë. E përziejmë mirë dhe me këtë masë lyejmë mishin e pulës të cilin e kemi larë dhe tharë më parë.

Pasi e lyjemë mishin nga të gjitha anët e mbulojmë me celefon dhe e lemë në frigorifer të marinohet për minimalisht 2 orë.

Ndërkohë në një tigan të madh me 3 lugë vaj ulliri kaurdisim qepën të prerë në kubikë. Sapo qepa të fillojë të zbutet shtojmë hudhrat të prera imët i trazojmë dhe vendosim copat e mishit sa të kapen pak me qëllim që të fiksohet marinimi.

I largojmë më pas dhe i vendosim në një pjatë të rrinë të ngrohta. Ndërkohë vazhdojmë përsëri me kaurdisjen e qepës duke shtuar specat të prera në copa mesatare.

Sapo specat të ulin pak volumin shtojmë mishin e pulës në tigan së bashku me lëngun e pulës. Vendosim kapakun dhe e lemë 5-10 minuta derisa përbërësit të marrin një vale të lehtë.

Më pas e vendosim pulën me speca në një tavë dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 20 minuta. Ndërkohë përziejmë kosin me dy lugë pure domate, 1 ½ lugë miell, kripë dhe piper të zi.

E rrahim mirë derisa të formohet një krem dhe pas 20 minutave nga pjekja e pulës e shtojmë në tavë duke e përhapur mire.

Vendosim dhe domatet qershi dhe e lemë mishin e pulës me speca dhe kos përsëri në furrë për 10 minuta të tjera.

                                       Ju bëftë mirë!

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook