Pas shkarkimit nga detyra pa asnjë motivacion përkatës të gazetarit të mirënjohur Tedi Blushi, nga posti i Drejtorit të portalit “BalkanWeb.com”, ka reaguar Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Përmes një deklarate, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë thekson se sistemi anarkik i marrëdhënieve të punës në skenë aktuale mediatike, ka degraduar plotësisht.

Duke shprehur solidaritetin me gazetarin Tedi Blushi, Unioni i Gazetarëve ka dënuar me ashpërsi aktin në fjalë dhe i kërkon administratorit dhe drejtuesve të medias në fjalë, të respektojnë bazën ligjore të marrëdhënies në punë dhe të shprehin arsyet dhe motivacionin e shkarkimit nga detyra të kryeredaktorit të “BalkanWeb.com”.

DEKLARATA E UNIONIT TË GAZETARËVE SHQIPTARË

Tiranë 17.10.2017

Rasti i më i fundit i largimit të gazetarit Tedi Blushi nga posti i Drejtorit të portalit Balkanweb pa u shoqëruar me motivacionin përkatës në çastin e komunikimit, tregon edhe një herë, se sistemi anarkik i marrëdhënieve të punës në skenën aktuale mediatike shqiptare, ka degraduar plotësisht. Ky rast dhe shumë të tjerë të raportuar herë pas herë nga organizata jonë, kanë lidhje me realitetin tronditës të mediave të vendit.

Largimi nga detyra i një k/redaktori/e nga një media e rëndësishme, pa asnjë lloj sqarimi/ njoftimi publik, është praktikë e rëndomtë në mediat shqiptare. Por pretendimi i kolegut Tedi Blushi për sjelljen e administratorit ndaj tij, flet edhe për kërcënimin e integritetit fizk të gazetarit në vendin e punës, aq më tepër që në rastin e kolegut Blushi bëhet fjalë për rol drejtuesi në strukturën redaktoriale.

UGSh i kërkon administratorit dhe drejtuesve vendimmarrës të medias në fjalë, të respektojë bazën ligjore të marrëdhënies së punës në raport me gazetarin, i cili përfaqëson profesionistin në komunitetin tonë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e denoncon rastin në fjalë dhe shpeh solidaritetin me kolegun Tedi Blushi duke i kërkuar administratorit të medias të shprehet për arsyen reale të largimit të kryeredaktorit nga detyra. UGSH i bashkohet deklaratës së kolegut në të cilën denoncohet censura që pronarë dhe administratorë të medias ushtrojnë mbi gazetarët.

UGSH bën me dije se në këtë fundjavë përmes një konference shtypi, do të bëjë të njohura të dhënat e një raporti për marrëdhëniet e punës, pagat e gazetarëve dhe konfliktet mes gazetarëve dhe punëdhënësve mediatikë në vend si dhe për injorimin e institucioneve ligjore ndaj këtij realiteti.

Zyra e shtypit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Për të marrë lajmet e fundit të DuaLajm.com, ndiq edhe faqen tonë në Facebook