Jemi mësuar të lexojmë shumë rrëfime, histori, të dëgjojmë e të themi shumë të vërteta në lidhje me kohët që kanë ardhur, një revolucion teknologjik që e ka mbërthyer botën me shpejtësi e që po i nxjerr jashtë loje shumë gjëra që dikur mendoheshin si të shenjta.

“Folsh me gishta!”

Në disa krahina të Shqipërisë vazhdon të përdoret një shprehje e vjetër: “Folsh me gishta” që është një mënyrë dëshirore e foljes për t’i uruar dikujt të kundërtën pra të mosfolmen, lidhjen e gjuhës… por askush nuk e dinte e as nuk priste që kjo shprehje do të parashikonte atë që do të bëhej norma e kohëve moderne, ku të gjithë janë të burgosurit e telefonave inteligjentë me prekje dhe e folura kryhet me gishta.

Letërsia vdiq! Në funeralin e saj Facebook-u, Google, Youtube, Instagrami e Snapchati hodhën lulet më të bukura.

Një gënjeshtër e gënjeshtërt

Që televizioni gënjen këtë e dimë të gjithë, por që edhe vetë gënjështarët të tremben nga gënjeshtrat e tyre që i thonë në televizion të kujton shprehjen e mrekullueshme arabe “kur gënjështari e gjen gënjeshtren e vet në pazar, e beson edhe vetë!”

Seksi shet mirë

Përdorimi i energjisë seksuale femërore si mënyra më e sigurtë për të tërhequr vëmendje me synimin e vetëm për të shitur produkte, reklama, emisione, e gjithçka. Nga ana tjetër, femrat vetë, me sytë e zënë nga një famë e përkohshme me adhurues që sa vijnë e shtohen harrojnë se nuk janë asgjë më shumë sesa skllave të një makinerie të madhe marketingu.

Në fillim paraja, pastaj paraja…

Në fillim paraja, pastaj të gjitha të tjerat. Nguti për të mos menduar në afatgjatë apo për të kuptuar se paraja është shumëçka por jo gjithçka. Ata që kujtojnë se paraja bën gjithçka janë vetë ata që bëjnë gjithçka për paranë.

Një tjetër version i “Folsh me gishta”…

Robotizimi i jetës 

Tani njerëzit nuk kanë kohë sepse koha e tyre është e përthithur nga mekanizmi i ngritur për të siguruar jetesën, çdo gjë është e planifikuar deri në çerekminutin e fundit, saqë etapat e jetës njerëzore kanë filluar t’i ngjajnë proceseve nëpër të cilat kalon një produkt në fabrikë.

Interesi vetjak mbi gjithçka

Xanxa njerëzore për të përvetësuar, për vetëpasurim, për t’u majmur në kurriz të çdogjëje dhe çdokujt është diçka e vjetër e ngulitur thellë në psikën e njeriut, por që ta shkatërrojmë gjënë e përbashkët për përfitim personal ndërkohë që e shohim qartë se po mbytemi të gjithë sëbashku anjë specie tjetër mbi tokë nuk e bën si ne njerëzit.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook