Stërvitja e fundit e Partizanit zhvillohet nën ritmin e muzikës dhe këngëve që i janë kushtuar klubit të kuq ndër vite. Një atmosferë e jashtëzakonshme, me lojtarët super të karikuar. Para se të fillonte stërvitja, skuadra ka pasur një takim me presidentin Gazmend Demi, i cili ka motivuar futbollistët.

“Jepni maksimumin tuaj dhe fitoni që ta kthejmë në festë”, ka thënë ndër të tjera kreu i klubit para ekipit. Futbollistët janë zotuar se do të marrin një rezultat pozitiv në derbi, duke u kurorëzuar kampionë. Stafi i kuq është munduar të mbajë skuadrën me këmbë në tokë, duke vlerësuar drejt takimin.

TITULLARËT – Trajneri Skënder Gega ka fiksuar formacionin që do të hedhë sot në fushë. Me skemën 4-1-4-1, të kuqtë vijnë në derbi me ndryshime të rëndësishme. Partizani duhet të bëjë pa katër lojtarë, tre prej të cilëve titullarë të padiskutueshëm. Për shkak kartonësh mungojnë Bruno Telushi, Emanuele Mensah dhe Jasir Asani. Sikur të mos mjaftonin këta të fundit, në stërvitjen e djeshme ka munguar edhe Rubin Hebaj.

Sulmuesi shkodran ka pësuar një tjetër kontraktim dhe nuk do të jetë i gatshëm në derbi. Në mbrojtje rikthehet titullar Rexhepi, i cili do të jetë në krah të Belicës. Ndërsa Atanda do të bëjë rolin e kontrollorit para mbrojtjes. Krahët i janë besuar Malës dhe Çinarit, ndërsa në majë të sulmit do të rikthehet Jurgen Bardhi, i cili mungoi në takimin me Flamurtarin.