I ftuar në emisioni “Dita Jonë” në A2 CNN, ish-ambasadori Fatos Tarifa kritikoi mënyrën se si ministri i ngarkuar për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bëri lëvizjet në diplomaci, ndërsa për targat e konsujve, Tarifa tha se veprimi i ishte i duhuri.

“Ishte e pavend, që në një periudhë me kaq probleme që ka vendi dhe në këtë mënyrë kaq publike, të flitej për lëvizje diplomatike. Nuk është normale në asnjë vend të botës. Lëvizjet diplomatike, kthimi në detyrë në vendin e vetë ose transferimet nga një post në tjetrin, janë normale, por këto nuk publikohen në këtë masë nga titullari i ministrisë. Njerëzit kur mbarojnë mandatin 3-vjeçar, siç është me ligj, ose kur kanë hyrë në sistem jashtë rregullave, mund të kthehen pa u bërë bujë.

Unë kur fillova studimet në Universitetin e Tiranës, i vetmi studentë që na erdhi me medalje ari, ngeli në klasë që në vitin e parë. Termi ekselent është kaq i shpërdoruar dhe numri i studentëve që mund të kualifikohen si ekselentë është kaq i madh saqë ngrihet pyetja, cili prej atyre ekselentëve? Ekselentët e ekselentëve do të marrin në punë? Dhe mbi ç’masa?

Masa që mori dje për ndryshimin e targave të konsujve është një masë e drejtë dhe duhet të ishte bërë shumë kohë më parë”, tha Tarifa.