Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të ankimuar vendimin e prokurorisë për zgjatjen e hetimeve me tre muaj të tjera.

Në datën 10 mars do të dërgohet çështja në gjykatë ku do të merret edhe vendimi përfundimtar nëse do kalojë në gjykim, apo do mbyllen hetimet.

Por nuk ka munguar dhe reagimi i Partisë Demokratike. Deputeti i PD, Flamur Noka në një dalje për mediet u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të reagojnë për garantimin e drejtësisë.

Ai u shpreh se vendimi i sotëm ishte një tjetër goditje për Reformën në Drejtësi, ndërsa ngriti pyetjen: “A kanë udhëtuar me Habilajt gruaja dhe babai i Saimir Tahirit?”

“Vendimi i sotëm i gjykatës është një tjetër goditje ndaj Reformës në Drejtësi”, – tha Noka, ndërsa u bëri thirrje të gjithë shqiptarët që të mos heshtin por të ngrihen me 16 shkurt për t’i dhënë goditjen e merituar kësaj qeverie.

“Është momenti që ata shqiptarë që duan një drejtësi të barabartë të mos heshtin. I ftojmë këta qytetarë që të ngrihen dhe me 16 shkurti t’i japin goditjen e merituar kësaj qeverie”, – tha ndër të tjera Noka.

Kujtojmë se në një deklaratë për mediat Tahiri u shpreh se gjykata pranoi kërkesën e tij për ankimim dhe shtoi se këtij procesi po i vjen fundi.

Tani dhe për mua dhe për Prokurorinë po fillon numërimi mbrapasht. Gjykata pranoi kërkesën time, dhe mendoj se kemi kohë të mjaftueshmë që të mbyllen hetimet dhe për mua kam pasur durim dhe kam ende durim për të mos u shqetësuar asnjë çast. Të vërtetën time deri në gërmën e fundit me vjen mirë që jam në këtë moment.

Është e drejta e prokurorisë të bëjë si të dojë. Di që Gjykata më dha të drejtë deri në 10 mars. Nuk e shoh si lojë golash e shoh si mundësinë time për të marrë atë që më takon. Kam pritur pa folur që drejtësia të flasë. Ja vlen të presësh për atë ditë që vjen drejtësia. Ka rëndësi që kësaj maratone ti shkoj deri në fund.”– u shpreh Tahiri.

Deklarata  e plotë e Flamur Nokës:

Sa herë që Saimir Tahiri ka një hall me gjykatat dhe prokurorinë, sistemi i ri i drejtësisë provon se është plotësisht në shërbim të tij.

Partia Demokratike ka paralajmëruar se Saimir Tahiri do të shfajësohet nga akuza për trafik droge dhe këtij skenari i shërbeu edhe vendimi i sotëm për të ndërprerë praktikisht hetimet e prokurorisë për Saimir Tahirin.

Fillimisht, Edi Rama përdori parlamentin për të penguar hetimet e grupit të prokurorëve, duke mos dhënë autorizimin për arrestimin e Ministrit të Brendshëm.

Pastaj, përdori Arta Markun për të shpërbërë grupin e prokurorëve, sië u faktua, në kundërshtim me ligjin.

Tani, Edi Rama po përdor gjykatën për të penguar vijimin e hetimeve, pikërisht në kohën kur prokurorët presin përgjigje nga Mali i Zi për aktivitetin e Saimir Tahirit dhe lidhjet e tij me grupin e Habiljave.  Kjo do të thotë se, nëse brenda 3 javëve Mali i Zi nuk kthen përgjigje, dosja mund të shkojë në gjykatë e paplotë.

Sado që drejtësia e kontrolluar nga Edi Rama ta lehtësojë Saimir Tahirin, në dosjen e tij ka fakte të rënda të përfshirjes së familjarëve më të afërt të Saimir Tahirit me grupin e Habiljave.

Në vend që Edi Rama t’u thotë shqiptarëve t’i kërkojnë falje Saimir Tahirit, është më mirë të ngarkojë dikë që t’i përgjigjet një pyetje të thjeshtë:

A kanë udhëtuar së bashku me Habilajt, të cilët ai i quan llum, babai dhe bashkëshortja e Saimir Tahirit?

Vendimi i gjykatës për të penguar vijimin e plotë të hetimeve vjen pas kërcënimeve publike të pak kohëve më parë të vetë Saimir Tahirit. Me mbështetjen publike të Edi Ramës ai kërcënoi çdo polic, prokuror dhe gjyqtar që të mos guxojnë të vazhdojnë hetimin ndaj tij.

Vendimi i sotëm i Gjykatës është një tjetër goditje e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi.

Është momenti që partnerët e huaj që i premtuan popullit shqiptar drejtësi të vërtetë dhe kapjen e peshqve të mëdhenj, të mbajnë premtimin dhe të mos lejojnë që një kriminel si Saimir Tahiri të shpëtojë pa u ndëshkuar.

Është momenti edhe për të gjithë ata shqiptarë, të cilët duan një drejtësi të barabartë për të gjithë, të mos rrinë më të heshtur!

I ftojmë ata që ta bashkojnë zërin e tyre me zërin e mijëra shqiptarëve të tjerë në 16 shkurt përpara kryeministrisë për t’u dhënë shans Shqipërisë të bëhet një vend normal, ku drejtësia është në shërbim të njerëzve të zakonshëm dhe jo të kriminelëve me pushtet.