Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka bërë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të vihet menjëherë në lëvizje pas kërkesës së Prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri.

Kryedemokrati Basha thotë se çdo vonesë mund të përbëjë rrezik për prishje të provave.

Sipas Bashës, qeveria Rama tashmë ka rënë, duke kërkuar distancimin e Partisë Socialiste nga kjo situatë.

Ai tha se heqja e mandatit të deputetit të Saimir Tahirit, është vetë fillimi i aksionit kundër lidhjeve të krimit me politikën.

“Seanca plenare të veprojë pa vonesë, çdo vonesë do veprojë për shkatërrimin e pronave. Çdo shqiptar dhe çdo deputet që ndihet përgjegjës, të veprojë në lidhje me Kushtetutën.

Arrestimi i Tahirit është vetëm hapi i parë. Në këtë moment, qeverisja e Ramës ka mbaruar de fakto. Vetë Rama është sot i vdekur politikisht, kufomë politike që sillet vërdallë.

Thirrja ime është për mbledhjen për komisionin e mandatave për heqjen e imunitetit që do i hapë rrugë arrestimit të Saimir Tahirit, thirrja ime është dorëheqja e Edi Ramës,” tha Basha.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës

Prokuroria e Krimeve të Rënda sapo ka njoftuar depozitimin në Kuvendin e Shqipërisë të kërkesës për heqjen e imunitetit, arrestimin dhe kontrollin e banesës të deputetit Saimir Tahiri.

I bëj thirrje Kuvendit të veprojë menjëherë.

I bëj thirrje Kuvendit të mbledhë menjëherë Komisionin e Mandateve dhe seancën plenare për të vepruar pa vonesë.

Çdo minutë, çdo orë vonesë do të shërbejë për shkatërrimin e provave.

Sot është koha që çdo shqiptar i ndershëm, çdo deputet në Kuvendin e Shqipërisë që ndihet përgjegjës para tyre, të veprojë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Arrestimi i Saimir Tahirit është vetëm hapi i parë. Në fakt, që prej këtij momenti, qeverisja e Edi Ramës ka mbaruar de fakto.

Çdo ditë e qendrimit të tij si kryeministër është agoni për të gjithë Shqipërinë. Vetë Edi Rama është sot i vdekur politikisht, një kufomë politike që sillet vërdallë dhe flet si njeri i ç’ekulibruar.

Partia Socialiste është sot në buzë të greminës nëse nuk shkëputet nga Edi Rama dhe grupi kriminal që ai solli në krye të Partisë Socialiste. Thirrja ime është për mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Mandateve, dhe të seancës plenare, për të votuar heqjen e imunitetit, që do ti hapë rrugë arrestimit të menjëhershëm të Saimir Tahirit. Thirrja ime është për largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Koha nuk pret.

SYRI.net LIVE – Basha: Kuvendi ti heqe imunitetin Saimir Tahirit #FacebookLive

Gepostet von SYRI.net am Donnerstag, 19. Oktober 2017

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook