Mbrëmjen e të mërkurës, rreth orës 22:30 uniformat blu morën informacion se në qytet po qarkullonte një mjet i mbushur me drogë. Patrullat u vunë në ndjekje dhe bënë ndalimin teksa mjeti po i drejtohej periferisë.

Por shoferi i furgonit e ka kuptuar se po ndiqej, ndaj ka braktisur makinën duke u larguar në këmbë. Agjentët zbuluan në mjet 46 pako të përmasave të ndryshme të mbushura me hashash. Shoferi ndërkohë është identifikuar dhe është shpallur në kërkim.

Pak orë pas bllokimit të drogës në Vlorë, edhe policia kufitare e Qafë-Thanës sekuestroi një tjetër furgon me 77 kg lëndë narkotike.

Droga ishte e ndarë në 22 pako. Në pranga kanë rënë dy shtetas bullgarë Neven Milenov, 39 vjeç dhe Shaban Daud, 55 vjeç. Ndërkohë është shpallur në kërkim një shqiptar si bashkëpunëtor i tyre.

Sasia e kanabisit u gjet gjatë kontrollit me skaner që zbuloi se droga ishte fshehur në pjesën e dyshemesë.